Beselidhja fiton përballjen me rivalët kolonjare, me rezultatin 2-0, por pa shkëlqim në lojën e saj. Tifozeria lezhjane ka dashur të shohë një lojë si ajo e ndeshjes në Fier javën e kaluar, por këtë herë nuk ka ndodhur kështu.
Pretendime për lojën e skuadrës ka pasur edhe presidenti Noka, i cili u shpreh se do t’i kërkojë shkaqet e paraqitjes së dobët të disa futbollistëve të veçantë. Ndërsa trajneri Bruka e ka lidhur këtë paraqitje jo të mirë me euforinë, që, sipas tij, e ka vënë re gjatë javës dhe ka punuar në këtë drejtim, por nuk ka mundur ta eliminojë. Megjithatë, fituesi nuk gjykohet dhe për Besëlidhjen kanë rëndësi pikët në këtë moment. Lezhjanët kanë fituar pastër ndaj një rivali të drejtpërdrejtë në luftën për në superlige. Në fund të fundit, ndeshja ka qenë mjaft korrekte, me episode interesante dhe me loje burrërore.
Beselidhja fiton ndaj Gramozit
Një fillim i vrullshëm, me lojë të hapur nga të dyja skuadrat. Lezhjanet kërkojnë të shënojnë, por për pak sa nuk e pësojnë që në minutën e parë. Duhen rreth 10 minuta për të vedosur ekuilibrin dhe epërsinë në lojë, pasi kolonjarët kanë shumë forca në mesfushë dhe nuk i lejojnë lezhjanët të organizohen. Ata i mbajnë vendësit disi të tërhequr, pasi aplikojnë mirë kundërsulmin e befasishëm. Sidoqoftë, lezhjanet e kanë gjetur shumë shpejt avantazhin me Mahon, i cili shënon në minutën e 11-të me kokë, pas një pasimi të saktë të Camajt. Më pas loja bëhet me bukur. Gramozi nuk e pranon humbjen dhe Qirjako i udhëzon të tijtë të avancojnë. Kronika pasurohet në të dyja portat dhe rastet për shënim shtohen. Asllani shpërdoron një rast të pastër, i vetëm para Nuredinit, kurse Kokona për pak sa nuk barazon. Lezhjanët kanë rastin për ta mbyllur 2-0 pjesën e parë, por përsëri Asllani gabon. Gega bën gjithçka mirë, por në finish nuk arrin të shtyjë topin në portën e boshatisur. Kundërpërgjigjja e kolonjarëve vjen me Lenën, një nga futbollistët më të mirë të miqve, që i dhuron topin-gol Koçit, i cili heziton para Xhikës dhe gjuan lehtë. Luhet fort deri në përfundim të ndeshjes, por pa rrezikshshmërinë e mëparshme.
Lezhjanët mendojnë të mbrojnë rezultatin, ndërsa kundërshtari sulmon me forca të shumta, por thyhet lehtë nga mbrojtja e Beselidhjes. Në fund, kur dukej se ishte mbyllur gjithçka, lezhjanët dyfishojnë me anë të Pustinës, i cili realizon pas një topi të krosuar nga Maho nga goditja e këndit. Beselidhja e merr fitoren e dytë në dy ndeshjet e fazës së dytë dhe duket në rrugë të mbarë.
Alban Bruka, trajner i Beselidhjes: “Në fakt, e prisja që në këtë ndeshje të kishte pak eufori pas fitores në Fier. Më shumë më vjen keq për tifozërinë, që tashmë nuk kënaqet vetëm me fitore. Gjykoj se duhet të përmirësohemi në lojë, kurse tri pikëve u gëzohem shumë, pasi na mbajnë brenda objektivit.”
Beselidhja ‑ Gramozi 2:0
Beselidhja: Xhika, Noka, Shala, Prela, Lika, Camaj, Pustina, Gruda (Shyti 59′), Maho, Gega (Dervishi 89′), Asllani (Berkoviç 62′).
Trajner: A.Bruka.
Gramozi: Nuredini, Caka (Liçenji 81′), Peçi, Faslliu, Ismolli, Shupe, Oliveira, Bilibashi (Mukaj 74′), Lena, Kokona, Koçi (Lifo 57′). Trajner: I.Qirjako.
Shënues: Maho 11′, Pustina 92′
Gjyqtarë: K.Meta, D.Agaraj, E.Dëraj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Lika, Noka, Bilibashi, Mukaj, Lifo (Lezha.eu)